Finalistët e sezonit të kaluar Borusia Dortmund janë dukur të lumtur me shortin e 1/8 të finaleve të Champions League, dhe për më tepër kënaqësia shtohet kur panë që Bayerni do të ketë një përballje të vështirë me Arsenal. Drejtori i përgjithshëm i verdhezinjve, Hans-Joachin Watzke theksoi në përfundim të shortit se ka dy arsye për të qënë i lumtur me ciftet e vendosura nga shorti.
"Shorti është shumë i kënaqshëm për ne. Megjithatë Zenit është një skuadër e mirë me lojtarë të mëdhenj, ku nuk është vetëm Hulk. Ne gjithashtu jemi të kënaqur edhe me shortin e skaudrave të tjera gjermane, sidomos me Bayernin që ka peshkuar një skuadër të cilën askush nuk do ta dëshironte përballë në këtë tur."
Borusia Dortmund shihet si favorit përballë Zeniti për të kaluar në cerekfinale, ndërsa për kampionët e europës dhe rivalët e verdhezinjve Bayern Munchen parashikohet një test i vështirë ndaj kryesuesve të Premier League, Arsenal. Ndeshjen e parë Dortmund do ta luajë në Petrovski Stadium në muajin shkurt, teksa sfida e kthimit do të jetë në Signal Iduna Park një muaj më vonë./TS/






