Thiago Alcantara përfiton nga ditët pushim të festave për të vizituar qytetin e tij të lindjes, Barcelonën. Disa muaj pasi u largua nga skuadra katalanase me destinacion Gjermaninë, ish mesfushori i La Masias flet për eksperiencën e tij të re në një skuadër të huaj ku po drejtohet nga një emër i vjetër për të, Pep Guardiola.
“Fillimisht në Mynih gjërat filluan të funksiononin. Kolegët më pritën shumë mirë, por më pas pësova një dëmtim të rëndë që më detyroi të ndalesha për disa muaj. Nuk jam penduar aspak që u largova nga Barcelona, madje as njerëzit e mi të afërt e kanë kuptuar vendimin që mora sepse duan më të mirën për karrierën time. Kam bërë një hap cilësor në karrierën time, madje jam përshtatur shumë mirë edhe me mënyrën e re të jetesës në një qytet yjetër”.
Në vijim, Alcantara përqëndrohet te jeta e re në Mynih dhe te stili i lojës që po aplikon skuadra bavareze.
“Kemi një skuadër shumë të mirë dhe me lojtarë të mëdhenj. Ata të bëjnë të ndihesh si në shtëpinë tënde. Qytetin nuk e njoph shumë sepse stërvitja më ha shumë kohë. Bayerni është një klub që gjendet gjithmonë nën presion dhe kjo e ndihmon të rritet përditë e më shumë. Guardiola është i njëjti trajner si te Barcelona, gjithsesi mënyra se si luajmë futboll është pak e ndryshme. Pep nuk e ka klonuar Barcelonën sepse ai ka një stil të vetin dhe këtë stil ai e ka përçuar edhe tek Bayerni”.
Një moment i vështirë për mesfushorin është edhe ai i ndarjes nga Barcelona, një klub që e bëri të famshëm në të gjithë botën.
“Në atë kohë dëgjoja shumë mendime madje shumë gjëra janë thënë rreth transferimit tim. Gjithsesi, tashmë i kam hedhur pas krahëve edhe pse më duhet ta pranoj se nevojitej shumë kurajo për t’u larguar nga Barcelona”.
Në fund një koment edhe për Botërorin Brazil 2014 ku Thiago dëshiron të shkojë me Spanjën edhe pse familja e tij ka rrënjë braziliane.
“Ky është një nga objektivat kryesorë që unë kam por fillimisht mendoj vetëm se si të stërvitem te Bayerni dhe më pas do të pres nëse Del Bosque do të më bëjë një ftesë ose jo. Pjesëmarrja në botërorin e Brazilit është një ëndërr për çdo lojtar futbolli në botë”./TS/






