RSS

Ronaldo: “Topi i Artë”? Të shohim çdo të ndodhë

Pas tetë ndeshjeve radhazi ku shënonte vazhdimisht Cristiano Ronaldo dështon për të realizuar qoftë edhe një gol të vetëm dhe kjo përkon me barazimin 2-2 ndaj Osasuna-s, rezultat ky që e con në 5 diferencën me kampionët në fuqi të Barcelonës. Këtë herë zotëria CR7 megjithatë nuk pezmatohet shumë dhe shfrytëzon ditën e pushimit për të inauguruar muzeun e tij personal, në vendlindje, në qytetin e Madeira-s, me një sipërfaqe 400 metra katrorë gjithsej. Në të përfshihet e gjithë karriera sportive e 28-vjecarit me të gjitha cmimet apo trofetë individualë dhe kolektivë. Sulmuesi portugez me këtë rast dha edhe një konferencë për shtyp dhe foli përmes të tjerave rrëfeu edhe një detaj tepër interesant, se në muze ka lënë një vend bosh, për “La Decima”, Kupën e 10 të Kampionëve, që shpreson ta fitojë me ekipin madrilen që në këtë sezon. Aty janë ekspozuar 150 trofe, nga i pari që fitoi në vitin e largët 1993, në moshën 9-vjecare me skuadrën e Andorinha-s deri te “Topi i Artë” apo dhe cmimi “Pichichi”, si golashënuesi më i mirë i Liga-s Spanjolle. Përvec tyre në këtë muze vizitorët mund të shikojnë gjithashtu edhe një imitim të Champions League-s që fitoi me Manchester United, apo replikën e Kupës së Mbretit dhe Kampionatit të fituar me fanellën e Realit të Madridit.
Cristiano Ronaldo – Është një nder për mua të kem një muze pikërisht në qytetin ku kam lindur. Kjo ishte një ide e Hugo-s, vëllait tim, ishte ai që e pati një iniciativë të tillë. Nuk më pëlqen që të përmend ndonjë trofe në mënyrë të vecantë, pasi që të gjithë janë shumë të rëndësishëm e mbeten tepër të vecantë për mua. Cdo trofe është histori më vete dhe ka një kuptim special për mua. Janë frut i punës individuale dhe kolektive dhe sigurisht për to i detyrohem të gjithë shokëve me të cilët kam luajtur, sepse pa ndihmën e tyre kjo nuk do të ishte e mundur. Pa sakrifica nuk fitohet asgjë. Shpresoj shumë që të fitoj akoma më tepër.
Cristiano i rikthehet sërish cështjes së “Topit të Artë” dhe Ronaldo shton me humor se nuk është se po humbet gjumin për këtë histori, sidoqoftë 28-vjecari luzitan nuk e bën ende të qartë nëse do të jetë apo jo i pranishëm në ceremoninë “gala” të FIFA-s.
Cristiano Ronaldo – Topi i Artë është thjesht një trofe më shumë dhe do të presim për të parë sesi do të shkojnë gjërat. Mbeten akoma edhe shumë ditë për këtë por jemi duke folur e më pas do të vendosim. Do të vendos bashkë me klubin, jam në bisedime me drejtuesit dhe po e analizojmë bashkarisht situatën. Kam lënë vend në muze edhe për shumë trofe të tjerë. Për Kupën e 10 të Kampioneve do të ketë gjithmonë vend, por shpresoj shumë që ta fitoj që këtë vit. Në botërorin e ardhshëm kemi rënë në një grup të fortë dhe tepër kompetitiv. Nevojitet që fillimisht të kalojmë fazën e parë më pas të shohim cfarë do të ndodhë. Duhet të japim maksimumin për të shkuar larg, megjithatë kam besim se do t’ia dalim mbanë.
Ndeshja në stadiumin “El Sadar” ishte e 150 në karrierë në ligën spanjolle për Cristiano Ronaldo-n dhe në fund rezultoi e pafat, gjithsesi ylli i Realit shpreson që të ketë shumë më tepër fat në mbrëmjen gala të 13 janarit, mbrëmje ku portugezi do të duhet të thyejë konkurrencën e dyshes Messi – Ribery për të fituar më në fund trofeun më të lakmuar në glob për cdo futbollist, në aspektin individual pas dy vendeve të dyta radhazi, gjithsesi nëse ndodh vërtet do të ishte i dyti Ballon D’or pas atij të fituar në vitin 2008, me United.

  • Digg
  • Del.icio.us
  • StumbleUpon
  • Reddit
  • RSS