RSS

Napoli mposht Interin dhe ngjitet në vendin e tretë

Napoli fiton duelin e parë në garën për Champions, duke mundur Interin 4-2, në një sfidë emocionuese dhe mes dy skuadrave që shfaqën dëshirë për futboll. Eliminimi nga kompeticioni Evropian në mesjavë, shtoi dozën e karikimit te napolenatët, që kërkojnë të rikthehen menjëherë atje, dhe në sfidën për vendin e tretë me zikaltërit regjistruan një fitore të rëndësishme për ambiciet e tyre, duke rimarrë dhe vendin e tretë ndaj Fiorentinës. Inter dhe Napoli ishte konsideruar dhe si dueli i ishëve në stol, me Mazarrin që u prit me duartrokitje por dhe vërshëllima në “San Paolo”, ndërsa Benitez kërkonte të lante hesape me zikaltërit, pas shkarkimit aspak të këndshëm të tre viteve më parë. Ndeshja ishte menjëherë zjarr dhe pas një starti më të mirë të Interit, ishte Napoli që gjeti avantazhin, me Nagatomon që me largimin e topit me kokë i dhuroi një asist perfekt Pepita Higuain, që fluturimthi mposhti Handanovic. Rastet nuk mungonin në impiantin jugor, por emocionet më të mëdha ishin ruajtur për 10 minutat e fundit. Pas një seri fintesh, Kambiaso në të 35-tën rigjeti barazimin për Interin, por gëzimi i zikaltërve zgjati shumë pak, pasi në të 39-tën, Mertens me një goditje të hidhur nga jashtë zone coi sërish peshë “San Paolon”.
Bileta në Champions është tunduese, dhe 2 minuta më pas ishte Dzemaili që u duk sikur mbylli sfidën për Napolin me golin e 3-1, por Nagatomo mendoi të sistemonte disi gjendjen e Interit para pushimit kur devijoi në top një asist tjetër të Fredi Guarin. Në pjesën e dytë, ritmi i golit ndryshoi por jo ai i lojës, pasi Interi sidomos iu afrua shumë barazimet, por Guarin dhe Palacio nuk kishin shënjestrën e duhur. Ndërkohë që në minutën e 70-të, ekipi i Mazzarrit, mbeti me 10 vetë në fushë pasi Alvarez u largua me të verdhin e dytë pas një topi të prekur me dorë në mesfushë. Një penalizim i rëndë për zikaltërit, që duhet të bëjnë llogaritë dhe me mungesat për derbin me Milanin. Inferioriteti numerik pati pasoja te Interi, që pësoi dhe të katërtin në minutën e 81-të me Callejon. Humbja për Interin mund të merrte përmasa të pamerituara në minutën e 92-të, por Goran Pandev gaboi nga pika e bardhë. 4-2 do të ishte dhe rezultati final i kësaj ndeshjeje, me Napolin, që rigjen fitoren në shtëpi në kampionat pas një mungese të gjatë e Interin, që në epokën e Thohir e ka të pamundur të fitojë.

  • Digg
  • Del.icio.us
  • StumbleUpon
  • Reddit
  • RSS