Familja Messi është në telashe. Sipas një shkrimi të publikuar nga “El Mundo Deportivo”, i ati i sulmuesit, Jorge Messi, po hetohet nga Njësia Operative e Rojes Civile për riciklim parash me prejardhje nga bota e narkotrafikut. Çështja bëhet edhe më serioze dhe e lidhur edhe me numrin 10 nëse vërtetohet se për të pastruar paratë e drogës, janë shfrytëzuar ndeshjet e bamirësisë që lojtari ka organizuar gjatë viteve të fundit. Në këtë skemë, Jorge ka rolin kryesor pasi është vetë ai që ka kontaktuar kartelet e drogës, të cilat i kanë siguruar 10 deri në 20 % të shumës për llogarinë e tij personale, nëse të ardhurat e narkotrafikut të futura në lojë, do të ricikloheshin.
Në detajet e zbuluara nga “El Mundo”, vetë Leo Messi por edhe Dani Alves , Pinto e Mascherano janë marrë në pyetje nga Njësia Operative e Rojes Civile në qëndrën stërvitore të Barcelonës. Ata kanë dhënë dëshmirë e tyre në lidhje me këtë çështje por ende nuk dihet asnjë detaj rreth qëndrimit të mbajtur. Gjithsesi, burime ende të pakonfirmuara bëjnë me dije se lojtarët janë shprehur se nuk kanë asnjë lidhje me gjithë këtë skemë, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre në ndeshjet miqësore ka pasur vetëm qëllime bamirësie. Kjo nuk është hera e parë që familja Messi dhe në veçanti i ati i lojtarit kanë probleme me ligjin sepse vetëm disa muaj më parë ata u akuzuan për shmangie të taksave, madje në qendër të vëmendjes u vu edhe shoqëria katalanase./TS/






