RSS

Benitez s’e quan hakmarrje: Kam miq te Interi

Rafa Benitez fitimtar në përballjen me të shkuarën, Napoli i tij mundi Interin e Mazzarrit në San Paolo, por mohoi se në këtë mes ekzistonte dëshira për t’u hakmarrë. Ishte një sfidë e veçantë në fakt me dy trajnerë që kishin ndërruar vendet. Për hatër të së shkuarës jo të largët, Mazzarri u prit mirë nga tifozeria në Napoli, megjithatë ishte spanjolli ai që buzëqeshi në fund.
“Kam ende shumë miq te Interi. Thonë se unë kam hequr foton e Mourinhos te dhomat e zhveshjes te zikaltërit? Kjo është totalisht një gënjeshtër. Faktet tregojnë historinë time atje dhe tani kam të drejtë të gëzohem kur shikoj skuadrën të fitojë një ndeshje të rëndësishme. U larguam me kokën lart nga Champions League, kështu që e prisja një performancë të tillë. Sigurisht që ishte ndryshe, luajtëm kundër një skuadre të madhe që bëri lojë shumë të mirë”.
Treshja e mesfushës, Insigne, Callejon e Mertens ia bënë edhe më të vështirë sfidën Interit dhe për paraqitjen e tyre marrin vlerësimet maksimale nga Benitez.
“Të tre kanë lirshmëri të ndryshojnë pozicion e të bëjnë ç’të duan. Për sa kohë kontribuojnë edhe në mbrojtje, mund të dalin edhe përpara në sulm. Sigurisht që ka edhe gabime, që mund ta vendosin mbrojtjen nën presion”.
Për penalltinë e humbur në minutat e fundit, Benitez tha se kërkoi nga Maggio që të ishte Insigne ai që do të gjuante, por Pandev veproi shpejt dhe mesazhi nuk arriti t’i përcillej në kohë.

  • Digg
  • Del.icio.us
  • StumbleUpon
  • Reddit
  • RSS