Milani dhe Roma kanë ndarë pikët në derbin e javës në Serie A, pasi ndeshja e zhvilluar në San Siro përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.
Mysafirët nga kryeqyteti italian u treguan më agresivë që nga fillimi i ndeshjes dhe arritën të kalojnë në avantazh pas 13 minutash me Mattia Destro autor të golit.
Vendasit megjithatë u përgjigjën pas gjysmë ore lojë, kur pas një harkimi nga këndi, Sulley Muntari goditi topin me kokë sa për të asistuar për Christian Zapatan.
Roma filloi më kërkuese edhe pjesën e dytë dhe sërish arriti të rikthejë avantazhin me një gol të hershëm. Kësaj here ishte Kevin Strootman që gjeti rrjetën nga penaltia (50’), pasi Gervinho u faulua nga portieri i Milanit, Gabriel, shumë afër vijës së zonës së reptësisë.
Por, Rossonerët nuk u dorëzuan dhe insistuan në sulm, për të arritur te goli i barazimit, kësaj here falë golit të Muntarit (77’).
Minutat e fundit të ndeshjes ishin shumë dramatike, me Mario Balotellin që pati një shans të artë, por që i gjendur një-në-një me portierin Morgan De Sanctis, e dërgoi topin jashtë kornizës së golit.
Ky ishte barazimi i pestë për Romën në gjashtë takimet e fundit në Serie A. Pavarësisth kësaj, Roma do të vazhdojë ta ruajë pozitën e dytë, por tash me pesë pikë ngecje ndaj liderit të tabelës, Juventusit.
Milani, në anën tjetër, bie në pozitën e 11-të, me 19 pikë, sa ka edhe Cagliari në pozitën e 12-të. /TS/






