RSS

Pagë më e lartë për Messin, firma në Janar

21 milionë Euro në vit është paga e Cristiano Ronaldos dhe 16 milionë e Lionel Messit.

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell pak kohë më parë, para polemikave brenda klubit, ka pohuar se nuk ka asnjë kërkesë nga argjentinasi që paga e tij të shkojë aq sa e portugezit të Realit, por gjërat duket se kanë ndryshuar, ndoshta edhe nga ngjarjet e fundit. Do të ketë një dhuratë të bukur për Messin me ardhjen e vitit të ri dhe sapo të kthehet nga rikuperimi e njëkohësisht edhe pushimet në Argjentinë, do të firmosë për herë të shtatë një kontratë të re që prej vitit 2005, kur u ngjit në skenën e futbollit profesionist.
Nga Spanja raportohet se çdo gjë është gati, mbetet vetëm ulja në tryezë e përfaqësuesve të Messit dhe presidentit Rosell për konkretizimin e akordit të ri. Pas disa ditësh tension, me lojtarin që nga Argjentina deklaroi se zv/presidenti Faus nuk merr vesh nga futbolli dhe më pas me zbutjen e situatës nga ndërhyrja e të atit të tij, duket se ky është rinovimi i paqes dhe i rikthimit të harmonisë brenda blaugranave. Rinovimin e fundit, 4 herë fituesi i Topit të Artë e firmosi në Shkurt me kontratën që skadon në 2018-ën dhe me një klauzolë prej 250 milionë Eurosh. Se sa do të shkojë paga e Messit nuk dihet ende, por po të kemi parasysh deklaratën e Rosell se ai meriton të jetë më i paguari në botë, nuk do të ishte aspak çudi që ta kalonte shifrën e 21 milionë Eurove të Cristiano Ronaldos./TS/

  • Digg
  • Del.icio.us
  • StumbleUpon
  • Reddit
  • RSS