Liverpooli e ka marrë kreun e Ligës Premier me fitoren e radhës të shënuar ndaj Cardiffit në Anfield me rezultat 3-1, ku edhe një herë shkëlqeu askush tjetër pos Luis Suarez.
Atmosfera në Anfield ishte fantastike për fillimin e sfidës ku të gjithë prisnin lojën e uruguaianit i cili rinovoi një ditë më parë.
Dhe, fakt është që ata kanë pasur çfarë të shohin. Pasi humbi dy mundësi në fillim, Luis Suarez konkretizoi në minutën e 25-të pas asistimit të Jordan Henderson.
Se ai nuk është egoist, e tregoi përsëri Suarez në minutën e 42-të kur edhe pse mundi të realizonte vet, pasoi te Raheem Sterling, i cili shënoi për 2-0. Në minutën e fundit të pjesës së parë (45’) ishte Suarez ai që realizoi golin e dytë në këtë takim për 3-0.
Në pjesën e dytë Liverpooli vazhdoi me lojën e mirë, por nuk arriti të shënojë, madje pranoi. Mutch realizoi golin e nderit për Cardiffin (58’) sa për të hyrë në statistika.
Luis Suarez arrin në kuotën e 19 golave në 12 ndeshjet e luajtura të tij këtë sezon në Ligën Premier (top golashënues), teksa bëhet lojtari i parë në historinë e Ligës Premier që realizon së paku dy gola në katër ndeshje radhazi në Ligën Premier.
Me këtë fitore Liverpooli e merr kreun e renditjes tabelare në Ligën Premier me 36 pikë, një pikë më shumë se Arsenali në vendin e dytë dhe tri më shumë se Chelsea në vendin e tretë, ekipe këto që përballen të hënën në duelin e drejtpërdrejt për vendin e parë. /TS/






