Trajneri i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, mendon se shpenzimet e Real Madridit janë të pakuptimta duke pasur parasysh borxhet e mëdha që ka klubi.
Gjatë afatit kalimtar veror, Los Blancos shpenzuan 181.5 milionë euro në transferimet e lojtarëve, si Gareth Bale, Asier Illarramendi dhe Isco.
Megjithëse me shitjet e yjeve, si Mesut Ozil, Gonzalo Higuain dhe të tjerëve, ata arritën ta ulin shifrën e shpenzimeve, mirëpo borxhi i përgjithshëm i tyre në muajin tetor është vlerësuar rreth gjysmë miliardi euro.
“Transferimi (i Bale) është i pakuptimtë. Nuk mund ta kuptoj si mund të kesh aq shumë borxh. Është e padrejtë që Madridi mund të blejë lojtarë të tillë me gjithë atë borxh që ka. Nuk është e drejtë”, ka thënë Hitzfeld për Futbol Tactico.
Si shembull të mirë, ai e ka marrë ish-klubin e tij, Bayern Munich, i cili baraspeshon suksesin në gara me maturinë financiare.
“(Bayerni) është një klub i shëndoshë që nuk ka borxhe. Ata transferojnë lojtarë duke u bazuar vetëm në potencialin e vet ekonomik. Ata kanë paguar shuma të mëdha, por asnjëherë nuk i kanë pasur borxh ndonjë organizate apo klubi”, ka shtuar Hitzfeld. /TS/






