Real Madridi ka shënuar pesë herë në portën e Almerias në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në Estadio de los Juegos Mediterraneos.
Cristiano Ronaldo e hapi takimin që në minutën e tretë, mirëpo ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë.
Në fillim të pjesës së dytë, portugezi u lëndua dhe ia lëshoi vendin Jese Rodriguezit, mirëpo kjo nuk i ndali mysafirët që të shënonin gola.
Karim Benzema e dyfishoi rezultatin pas një asistimi pikërisht nga Jese (61’) dhe menjëherë pas francezi u largua nga loja për t’i bërë vend Alvaro Moratas.
I erdhi radha të shënonte edhe supertransferit Gareth Bale (72’), ndërsa menjëherë pas shënoi Isco (74’), edhe në këtë gol ishte i përfshirë Jese.
Alvaro Morata shpagoi besimin e trajnerit duke shënuar golin e pestë dhe të fundit për Blancos (81’).
Real Madridi barazohet me pikë me Atletico Madridin, nga 34, që këtë xhiro zhvillon derbin lokal ndaj Getafes. Barcelona është gjashtë pikë larg. /Telegrafi/TS/






