
Sulmuesi portugez, Cristiano Ronaldo, ka thënë se ndihet jashtëzakonisht mirë në klubin mbretëror duke e cilësuar edhe si shtëpinë e tij. Më tej ai ka folur edhe për bashkëlojtarin e tij Gareth Bale.
28-vjeçari nënshkroi një marrëveshje të re pesëvjeçare me madrilënët në muajin shtator, vendim për të cilin ndjehet shumë krenarë.
“Arsyeja pse nënshkrova kontratë të re është sepse këtu ndihem si në shtëpinë time, si në vendin tim. Ndihem jashtëzakonisht mirë këtu. E dua këtë klub, i dua njerëzit dhe tifozët e këtij klubi”, ka potencuar Ronaldo.
“Unë nuk e di se kur do ta përfundoj karrierën time, por për momentin jam shumë i lumtur që jam këtu”, shtoi ai.
Portugezi nuk e la pa e përmend edhe super-yllin tjetër të klubit mbretëror, Gareth Bale, duke thënë se ai tashmë është ambientuar dhe po i ndihmon skuadrës.
“Bale po luan në mënyrë fantastike. Ai filloi pak ngadalë me disa lëndime dhe probleme të vogla, por kjo është normale sepse ai nuk luajti fare në para-sezonë. Pas kësaj ai ishte edhe nën presion të madh. Ishte e vështirë por mendoj se tani e ka gjetur rrugën e duhur dhe është integruar mirë në skuadër. Njerëzit e duan atë, tifozët dhe lojtarët e duan atë këtu. Shpresoj që të na ndihmojë që të fitojmë tituj”, është shprehur sulmuesi madrilen. /TS/





