Festat e fundvitit sjellin tre pikët dhe për Realin e Madridit, që fiton 3-2 në Valencia, jo pa vështirësi, pas një 90-të minutëshi me përmbysje e kundërpërmbysje, që në fund i buzëqesh skuadrës së Ancelottit. Reali kërkonte të ndiqte shembullin e dy kruesyesve të tjerë, Barçës dhe Atleticos dhe Valencia e nis fortë ndeshjen, duke e pasur të qartë objektivin. Gjithsesi për të kaluar përpara nevojitet një prekje ëngjëllore, si ajo e Angel Di Maria, që i jep epërsinë në shifra Los Blancos në të 28-tën. Valencia pavarësisht se në krizë nuk bën sehir në fushë, dhe Pablo Piatti barazon rezultatin por dhe nxeh Ronaldon, që në të 40-tën mendon të kthejë në avantazh madrilenët me një goditje me kokë.
Për Realin megjithatë mbrëmja parashikohet e vështirë dhe ndeshja në ngjitje, pasi në të 62-të, francezi Mathieu ktheu sërish barazimin në “Mestalla”. Gjithsesi takimi duhet të shkonte për Realin, që në të 82-tën e gjeti golin e fitores me anë të Jese Rodriguez duke vajtur i qetë drejt pushimeve dimërore. Në sfidën tjetër, Athletic Bilbao nuk fal ndaj Rayo Vallecanos duke marrë tre pikë të rëndësishme falë suksesit 2-1 në “San Mame”. Për vendasit shënojnë San Jose në të 31-tën dhe Micel Rico në të 61-tën, ndërsa në mes qëndron dhe një gol i Alberto Bueno, por që për fatin e tij të keq nuk sjell asgjë të mirë për madrilenët e vegjël./TS/






