RSS

La Liga, Sevilla mposht Villarreal

Sevilja fillon t’i afrohet gjithmonë e më tepër asaj skuadrës së dikurshme që ishte në gjendje të matej me klubet më të mira të Spanjës. Shenjat e përmirësimit gjatë kohëve të fundit ishin të qarta dhe kura e trajnerit me eksperiencë Unai Emery tashmë duket qartë. Skuadra andaluziane regjistroi fitoren e katërt në pesë takimet e fundit në kampionat, duke marrë një 3-pikësh me shumë vlera brenda në El Madrigal. Në kështjellën e Vijarealit deri më tani kishte fituar vetëm ekipi i Getafe-s dhe skuadra e drejtuar nga Marcelino Garcia Toral madje kishte frenuar në një barazim edhe klube të tillë si Real apo Atletico, sidoqoftë Sevilja zhvilloi një ndeshje tepër të zgjuar në aspektin taktik duke u hakmarrë po në të njëjtën mënyrë ndaj nëndetëses së verdhë, që në përballjen e fundit ndërmjet tyre pati fituar po me të njëjtat shifra brenda në Ramon Sanchez Pizjuan. Gjatë gjithë kohës Vijareali pati iniciativën duke dominuar zotërimin e topit, por në futboll kjo vlen shumë pak, madje fare nëse nuk përkthehet me raste apo gjuajtje në portë.
Lojtarët vendas u përplasën me forcë pas murit mbrojtës që kishte ngritur me mjeshtëri Unai Emery gjithsesi te Villareali u ndje shumë mungesa e mesfushorit Cani, e kuptohet qartë që ekipi i Marcelino-s pa 32-vjecarin nga Aragona humbet vërtet shumë si në precizion ashtu edhe fantazi, element i domosdoshëm për të zhbllokuar ndeshje të tilla. Takimi u zhbllokua në 24’ nga mbrojtësi Juan Cala që me kokë gjeti parabolën e duhur për të kaluar portierin Sergio Asenjo, ndërsa sfida praktikisht u mbyll në 71’ kur sulmuesi kolumbian Carlos Bacca ndëshkoi përsëri Vijarealin, pas një gafe të rëndë në mbrojtje të qendërmbrojtësit argjentinas Musacchio. 4’ para fundit gjyqtari Gil Manzano akordoi një penallti duke nxjerrë me karton të kuq pikërisht autorin e golit të parë Cala, 11-metërsh që më pas u shndërrua në gol nga francezi Jeremy Perbet, megjithatë ishte tepër vonë për vendasit që në minutat e fundit nuk evituan dot humbjen e parë pas plot 50 ditësh. Pas triumfit 2-1 brenda në El Madrigal Sevilja ngjitet akoma më shumë dhe tashmë shkurton në vetëm dy pikë avantazhin e Vijarealit kundrejt tyre dhe kjo duket se është njëkohësisht edhe përgjigjja më e mirë që mund të merrnin përkrahësit e tyre, pas eliminimit të turpshëm të mesjavës në Kupën e Mbretit nga një ekip i kategorisë së tretë, si Racing Santander. Rezultatet për momentin e javës së 17-të të La Ligas:
Elche  0 - 1    Malaga
Villarreal         1 - 2    Sevilla
Real Betis      0 - 1    Almeria..  /TS/

  • Digg
  • Del.icio.us
  • StumbleUpon
  • Reddit
  • RSS