Carlos Queiroz, trajneri aktual i kombëtares së Iranit dhe i Portugalisë në vitet 2008-2010, foli në një intervistë për Cristiano Ronaldon, bashkëpatriotin dhe ish lojtarin që ka patur në skuadër. Për Queiroz, ylli i Realit të Madridit mund të krahasohet me legjendën e NBA, Michael Jordan.
“Njëherë kur kam qënë bashkë me të te Manchester United i kam thënë se do të bëhet Michael Jordan i futbollit”.
Bëhet fjalë në fakt për kohën kur 60-vjeçari ishte numri dy pas Ferguson te Djajtë e Kuq dhe ai i njeh mjaft mirë aftësitë e Ronaldos, të cilin e pati më vonë sërish nën urdhrat e tij në përfaqësuesen luzitane.
“Kam patur mundësinë ta shikoj Cristianon duke u rritur në vitet e fundit. Në cilësitë e tij ka pak nga braziliani Ronaldo dhe pak nga Figo. Eshtë fantastik në gjuajtjet me të dyja këmbët, në pasime dhe në realizimin e goditjeve të lira. Për mua, Cristiano është lojtari më i kompletuar që kam parë gjatë gjithë jetës sime”.
Queiroz foli gjithashtu edhe për Brazil 2014, duke shprehur mendimin e tij se ky mund të jetë viti i yllit madrilen në Botëror.
“Besoj se tani është më i pjekur dhe me më shumë eksperiencë. Nga njëri Botëror në tjetrin, 4 vjet janë shumë për karrierën e një lojtari, mund të bëjë diferencën. Në Brazil do të jetë Botërori i tretë për Ronaldon dhe mendoj se do ta ketë më të lehtë të japë maksimumin nga rendimenti i tij”./TS/






