I spostuar prej kohësh në stol nga aktivizimi i rregullt i Diego Lopez, Iker Casillas këmbëngul se nuk e ka menduar për asnjë moment largimin nga Reali i Madridit, edhe pse media të ndryshme kanë spekuluar se e ardhmja e një prej ikonave të madrilenëve është larg kryeqytetit.
“E ardhmja ime për momentin është te Los Blancos. Jam i lumtur që ndodhem te Reali. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë pas 5 apo 6 vjetësh”.
Casillas foli edhe për pritshmëritë nga Botërori i Brazilit, duke pohuar ndërkohë se nuk e di nëse do të jetë titullar ose jo në kombëtaren spanjolle.
“Ka ende shumë kohë, bëhet fjalë për 5 apo 6 muaj. Tani duhet të qëndroj dhe të punoj për klubin, pasi kështu e kam më të lehtë të jem në ekipin përfaqësues. Në Botëror nuk duhet të kemi frikë nga asnjë rival”.
I pyetur për raportet që kishte me Mourinhon, gardiani i Realit tha se nuk kishte asnjë problem mes tyre, dëshira e tij është të luajë dhe të ndihet i rëndësishëm për skuadrën. Një pyetje edhe nga jeta private, sepse së shpejti Iker Casillas dhe Sara Carbonero do të bëhen prindër. Portieri 32-vjeçar pohoi se e ndjen veten gati, por këtë do ta tregojë kur fëmija i tij të vijë në jetë./TS/






