Robin Van Persi ose Kun Aguero! Barcelona kërkon të afrojë një nga sulmuesit më të rëndësishëm të Premier Ligës, për të cilët ka nisur hulumtimet mbi shumën që mund të paguajë klubi katalanas për kartonin e tyre. Kampionët e Spanjës e kanë të qartë se Manchester United do të kërkojë 45 milionë Euro për të hyrë në bisedime për sulmuesin holandez, që është një pykë e pastër, golashënues tipik dhe që lëviz në zonën e rreptësisë si peshku në ujë. Ai mbetet një nga prioritetet e Tata Martinos, edhe pse blerja e tij duket një operacion shumë i vështirë.
E njëjta shifër, 45 milionë Euro, shërben si referencë për të kuptuar se në ç’shifra lëviz merkato. Kushërinjtë e United, Manchester City, do të pranonin të njëjtën shumë për një tjetër objektiv të Barcës, Sergio Kun Aguero. Edhe pse diskutohet për dy lojtarë të profileve të ndryshme, që kanë diferencë edhe në moshë, nuhatja para portës është e njëjtë. Sulmuesi holandez zhvilloi sezonin e tij më të mirë, atë të fundit me Arsenalin, ku realizoi në total 37 gola. Në të njëjtën periudhë, gjatë debutimit të tij me Manchester Sitin, në sezonin 2011-2012, Aguero realizoi 30 gola. Në të dy rastet bëhet fjalë për sulmues të nivelit ndërkombëtar, që do t’a rritnin cilësisht Barcelonën. Gjatë këtij sezoni, El Kun ka realizuar 18 gola, 4 më shumë se Lionel Mesi, dhe renditet i dytë sa i përket golashënuesve më të mirë të Premier Ligës pas Luis Suarez, ndërsa Van Persi është në shifrën e 10 finalizimeve. Në të dy rastet, negociatat do të jenë shumë të vështira, megjithatë drejtuesit katalanas do të provojnë gjithçka për të transferuar në “Camp Nou” një sulmues të madh, për ta rreshtuar përkrah Lionel Mesit./TS/






