Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, e ka uruar sulmuesin e Portugalisë, Cristiano Ronaldon, pasi ky i fundit e dërgoi kombëtaren e tij në Kampionatin Botëror – Brazili 2014.
Sulmuesi portugez bëri një paraqitje spektakolare në fitoren 3-2 kundër Suedisë, duke shënuar një het-trik, me të cilin i heshti të gjithë kritikët e tij. Teksa, kjo paraqitje e shkëlqyer e tij nuk i shpëtoi as ‘kundërshtarit’ të tij të fundit, presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter.
Ju rikujtojmë se ishte ky i fundit i cili përqeshi Cristiano Ronaldon në një intervistë të mbajtur në një universitet, duke thënë se portugezi sillet si komandant në fushë dhe kalon shumicën e kohës te berberi, deklaratë kjo e cila krijoi shumë polemika në gjithë botën, e më së shumti e inatosi edhe vetë lojtarin, i cili e thumboi së fundmi duke i festuar golat e tij në stilin e ‘komandantit’.
Edhe pse Blatter i ka kërkuar falje publikisht portugezit, ai nuk ka dashur ta pranojë atë dhe e ka refuzuar edhe një takim të cili ia propozoi presidenti i FIFA-s. Ky i fundit, duket se është penduar për fjalët që ka thënë, dhe pas ndeshjes së mbrëmshme ai shkroi në profilin e tij në Twitter: “Performancë fantastike nga Cristiano”, raporton Marca





