Lionel Messi dhe Barcelona nuk janë larg vetëm fizikisht por nga dita në ditë duket sikur po krijojnë një distancë edhe më të madhe shpirtërore. Sikur të mos mjaftonte dëmtimi dhe zërat për oferta faraonike në drejtim të argjentinasit, mes palëve ka nisur një tjetër debat ku këtë herë bëhet protagonist zv/presidenti ekonomik, Javier Faus. Ky i fundit u shpreh pak kohë më parë se nuk arrin ta kuptojë kërkesën e një lojtari për rishikimin e kushteve të kontratës kur ai ka rinovuar vetëm pak muaj më parë. Një deklaratë qartazi e adresuar në drejtim të 4 herë fituesit të Topit të Artë, i cili nuk ngurron aspak për të thumbuar zyrtarin katalanas.
“Javier Faus nuk e njeh fare futbollin. Ai mendon se po menaxhon një biznes por Barcelona nuk është e tillë. Barcelona meriton të përfaqësohet nga njerëzit më të mirë”.
Duke vijuar në këtë linjë, Messi shtoi se nuk ka kërkuar asnjëherë rishikimin e kushteve të kontratës. Një moment delikat ky që po kalon sulmuesi argjentinas, i cili po bën llogaritë edhe me akuzat në drejtim të të atit, i cili akuzohet se ka ricikluar paratë e karteleve të drogës duke shfrytëzuar ndeshjet e bamirësisë të organizuara nga vetë lojtari argjentinas vitet e shkuara.






