Juventus e mbyll vitin me fitore dhe në krye të Serisë A. Kampionët e Italisë bëjnë të njëjtën gjë që kishin bërë në gjithë këto tetë javët e fundit të kampionatit, fitojnë, me të vetmin ndryshim se këtë herë Buffon pas plot 750 minutash detyrohet ta nxjerrë topin nga fundi i rrjetës. Në “Atleti D’ Azurri” të Bergamos, Juventinët konfirmojnë se ndihen si në shtëpi, duke regjistruar edhe suksesin e 11-të radhazi në këtë stadium, këtë herë me shifrat 4-1. Tevez jep sinjalin e një pasdite bardhezi që në minutën e 5-të, ndërsa goli i Moralez, i pari në portën e piemontezëve pas plot nëntë ndeshjesh thjesht sa shtyn momentin e dhimbjes për vendasit.
Pjesa e dytë është ajo që i vë vulën të besuarve të Contes. Që në minutën e parë të këtij fraksioni është Pogba që çon rezultatin në 2-1. Në të 75-tën, mendon Llorente për të realizuar dhe të tretin, ndërsa në të 79-tën Vidal siglon pokerin juventin me golin e katërt. Roma gjithsesi nuk lejon që bardhezinjtë të marrin para festave trofeun simbolik të kampionit të dimrit, pasi rigjen suksesin pas barazimit me Milanin në transfertë, duke likuiduar 4-0 Catanian. Verdhekuqtë e Garcias bindin përballë sicilianëve dhe heroin e tyre e gjejnë madje te mbrojtësi Benatia, që shënon një dygolësh në suksesin e kryeqytetasve, në minutat 18 dhe 59, ndërsa realizojnë gjithashtu dhe Destro në të 55-tën dhe Gervihno në të 80-tën. Lazio merr një goditje të rëndë në “Bentegodi” ndaj Veronës ku mundet 4-1. Toni kalon përpara veronezët në minutën e 5-të, Biglia barazon për bardhekaltërit por para pushimit Iturbe shënon dhe të dytin. Në pjesën e dytë, festës veroneze i bashkohet edhe Romulo, ndëra mbyll llogaritë ai që i hapi, Luca Toni me golin e katërt./TS/






